Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kujtuar me nderim intelektualin dhe atdhetarin e njohur prizrenas Xhemil Doda (1915–1976), në 50-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Përmes një postimi përkujtimor, Totaj theksoi se Doda ishte një figurë e rrallë shumëdimensionale, i lindur në Prizren dhe i arsimuar në Tiranë si dhe në Akademinë Ushtarake në Torino. Ai përmendi kontributin e tij si ushtarak i karrierës, profesor i biologjisë në gjimnazin “Gjon Buzuku”, përkthyes në Kuvendin Komunal, si dhe veprimtarinë e gjerë në letërsi, teatër dhe muzikë.
Sipas Totajt, Doda ishte dramaturg, romancier, tregimtar, poet, përkthyes nga disa gjuhë evropiane, aktor, regjisor dhe violinist në SHKA “Agimi”.
Kryetari i Prizrenit vlerësoi se me veprën dhe angazhimin e tij në kulturë, teatër, letërsi dhe muzikë, Xhemil Doda kontribuoi në ruajtjen dhe zhvillimin e jetës kulturore shqiptare në Prizren dhe më gjerë, duke lënë një trashëgimi të çmuar artistike dhe intelektuale.
Totaj theksoi gjithashtu se jeta e Dodës u shoqërua me sfida, pasi për shkak të bindjeve të tij atdhetare ai u përndoq dhe u largua nga institucionet ku shërbente, duke përjetuar periudha të gjata papunësie dhe margjinalizimi.
Megjithatë, sipas tij, Doda nuk u dorëzua dhe vazhdoi të krijojë e të kontribuojë në kulturën shqiptare.
“Figura dhe vepra e tij mbeten një kujtesë e gjallë e dinjitetit, talentit dhe përkushtimit ndaj kombit”, ka theksuar ndër të tjera kryetari Totaj në postimin e tij përkujtimor.