Ndonëse raportohet se çmimet e naftës në bursa kanë pësuar rënie të ndjeshme, në Kosovë po ndodh e kundërta.
“Shumë shtrenjtë, deri 2 euro çmimet. Nuk janë të përballueshme këto për ne”, thotë njëri nga qytetarët.
Përfaqësues të Naftëtarëve të Kosovës thonë se trendi i rënies ka nisur, teksa varësisht prej gjendjes presin të stabilizohen çmimet e derivateve.
“Mbrëmë në bursa është mbyllur me 15 dollarë plus, që do të thotë se ka qenë një rritje e lehtë. Sot lajmi i mirë është që është në rënie. Afërsisht, çmimi i dizelit sillet nga 1.39 deri në 1.60, ndërsa benzina nga 1.27 deri në 1.34 cent”, thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Në raste krizash si këto, u kërkua që vendi të ketë rezerva të mjaftueshme të derivateve, sikurse shtetet e tjera.
“Ne kemi më shumë pika karburanti si shteti më i vogël dhe duhet të shpërndahen në pikat e karburantit dhe në depo të mëdha rezervat shtetërore, dhe ato të ripërdoren, të ripërtërihen dhe të sillen. Atëherë do të arrijmë një gjuhë të përbashkët me ministrinë”, thotë Berjani.
Ministria e Industrisë ka bërë të ditur se institucionet po monitorojnë tregun e derivateve për të parandaluar çdo praktikë të padrejtë tregtare dhe për të mbrojtur konsumatorët. Sipas të dhënave nga Dogana, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së djeshme ka qenë 1.44 euro për litër.
Nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë të naftës rezultuan nga 1.44 euro deri në 1.55 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.26 deri në 1.31 euro për litër./RTK/