LAJME

EC Ma Ndryshe vazhdon nismën “Një dëshirë për rrugën time” me banorët e lagjes së “Terzinjëve” në Prizren

EC Ma Ndryshe vazhdon nismën “Një dëshirë për rrugën time” me banorët e lagjes së “Terzinjëve” në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Mars 2026, 11:00

Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), OJQ “EC Ma Ndryshe” ka vijuar aktivitetin pjesëmarrës me banorët e lagjes së “Terzinjëve” në Prizren, konkretisht në rrugët “Avdi Shala” dhe “Ismet Jashari- Kumanova”.

Sipas njoftimit të kësaj organizate, qëllimi i këtij aktiviteti është mbledhja e kërkesave, shqetësimeve dhe nevojave të qytetarëve lidhur me hapësirat publike në lagjet e tyre.

Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë aktivitetit, në hapësirat publike u vendos harta e lagjes së “Terzinjëve”, me titullin “Një dëshirë për lagjen time”, i cili shërbeu si mjet interaktiv për mbledhjen e komenteve, sugjerimeve dhe problemeve nga banorët.

“Aktiviteti u zhvillua përmes takimeve spontane me kalimtarë të ndryshëm, duke përfshirë nxënës, të rinj, gra, nëna me karroca dhe pensionistë. Banorët ndanë hapur shqetësimet dhe nevojat që hasin në përditshmërinë e tyre në lagje” – thuhet në njoftim.

Sipas EC-it, ndër çështjet më të përmendura ishin dëmtimet e rrugëve, mungesa e parkingjeve për banorët, parkimi i automjeteve në trotuare, sistemi i ngarkuar i kabllove, menaxhimi i mbeturinave dhe mungesa e shportave për mbeturina në disa zona të frekuentuara.

“Ndër shqetësimet e tjera të ngritura u përmendën edhe prania e qenve endacakë në disa rrugë të lagjes, mungesa e ndriçimit publik në zona të caktuara, si dhe nevoja për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe trajtimin e objekteve të braktisura. Në rrugët kryesore të lagjes, të cilat janë mjaft të frekuentuara, banorët kërkuan shtimin e shtigjeve për biçikleta, vendosjen e më shumë shportave për mbeturina, si dhe shtimin e gjelbërimit dhe të pemëve. Po ashtu u theksua nevoja për vendkalime më të sigurta për këmbësorë dhe për krijimin e më shumë hapësirave për parkim për banorët” – thuhet në njoftim.

EC Ma Ndryshe njofton se të gjitha komentet dhe kërkesat e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do t’u përcillen institucioneve përkatëse, me qëllim adresimin e tyre dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e lagjes së “Terzinjëve”.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika