Shërbimit Korrektues të Kosovës i janë shtuar edhe 100 kadetë të rinj korrektues. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se Shërbimi Korrektues i Kosovës është një hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë, që garanton zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria.
“Përmes këtij institucioni, drejtësia nuk përfundon me vendimin e gjykatës, por vazhdon me zbatimin e ligjit në praktikë, duke siguruar rend, përgjegjësi dhe respekt për dinjitetin njerëzor të çdo personi, si parime themelore bazë”, tha ajo.
Në këtë ceremoni, Gërvalla para kadetëve të rinj korrektues tha se ata sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë.
“Ata do të jenë në vijën e parë të garantimit të sigurisë në institucionet korrektuese dhe të zbatimit të ligjit. Roli i tyre shkon përtej ruajtjes së rendit. Çdo ditë ata do të përballen me njerëz që kanë bërë gabime dhe që po përballen me pasojat e tyre. Profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që ata persona një ditë të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm të këtij vendi”, tha tutje ministrja e drejtësisë.
Sipas saj, në muajt në vijim, kadetët e rinj do të ndjekin një trajnim gjashtëmujor profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, përmes së cilit program të specializuar, sipas Gërvallës, do t’i pajisë ata me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për përballimin e sfidave të përditshme të këtij profesioni, dhe për përgjegjësinë që bart shërbimi në institucionet korrektuese.
“Republika e Kosovës në vazhdimësi ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, gjë që dëshmohet edhe në raportet dhe vlerësimet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë trajtimin e personave të privuar nga liria, dhe ky progres do të vazhdojë përmes forcimit të mëtejmë të institucioneve që garantojnë zbatimin e ligjit dhe funksionimin e drejtësisë”, ka thënë Gërvalla.