Gjykata e Apelit ka sqaruar arsyet se pse të akuzuarit për krime lufte Darko Tasiq, i është përgjysmuar dënimi.
Rreth 243 civilë kosovarë u masakruan në Krushë në vitin 1999.
Forcat jugosllave të sigurisë bashkë me policinë serbe, lanë shumë familje pa më të dashurit e tyre.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ata edhe kishin përdhosur kufomat e shqiptarëve.
Një prej atyre që kishte marr pjesë në këto krime, është edhe serbi Darko Tasiq.
I njëjti ishte kapur nga Policia e Kosovës në vitin 2017.
Tasiq më pas ishte akuzuar për krime lufte, ndërsa Gjykata Themelore e Prizrenit i shqiptoi dënim më burgim prej 22 vitesh, pranverën e këtij viti.
Ndonëse banorët e fshatit nuk ishin aspak të kënaqur me këtë vendim, shkalla e dytë i përgjysmoi dënimin Tasiqit.
Gjykata e Apelit vetëm një fakt të pretenduar faktik e ka gjetur se nuk është i mbështetur me prova, si i tillë fakti është “…dhe ose fshatrat tjerë të Kosovës…”, duke qenë se asnjë nga dëshmitarët nuk kanë pohuar ta kenë parë të akuzuarin D.T., të ketë ndërmarrë ndonjë veprim që kategorizohet si veprim inkriminues nga neni 142 jashtë fshatit Krushë të Vogël, kjo Gjykatë vlerëson se për këtë rrethanë faktike nuk ka prova që dëshmojnë veprimin e të akuzuarit.
Tutje Gjykata i ka gjetur si të bazuara pretendimet e avokatit mbrojtës të Tasiqit, sa i përket zbatimit të ligjit të gabuar.
Kjo Gjykatë, ka gjetur si të bazuar pretendimet e mbrojtjes sa i përket shkeljes së ligjit penal në kontekst të faktit se cili ligj duhet zbatuar, në kontekst të kualifikimit juridik të veprës penale, të cilat reflektojnë edhe në vendimin mbi dënim. Për më tepër, dispozitat kushtetuese përcaktojnë në mënyrë shprehimore se ndaj të akuzuarit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, përveç kur ligji i ndryshuar është më i favorshëm ndaj të akuzuarit. Mbi këtë bazë, kjo Gjykatë gjen se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka aplikuar Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në cilësimin juridik të veprave penale.
Ndërsa sa i përket dënimit, Apeli matjen e dënimit e ka mbështetur në nenin 41 të ish LPSRFJsë, ku nga rrethanat e çështjes, por edhe nga shkresat tjera të lëndës ka vlerësuar rrethanat rënduese dhe lehtësuese në këtë kontekst.
Si rrethana lehtësuese, Gjykata ka vlerësuar rolin e të akuzuarit në veprimet e bashkëkryerjes e që rezulton se i akuzuari nuk ishte me rol kryesor, për faktin se nuk shpërfaq asnjë provë apo rrethanë se ky i akuzuar udhëhiqte apo urdhëronte bashkëkryerësit, çfarë nënkupton se roli i tij në kuadër të bashkëkryerjes nuk ishte në rolin e udhëheqësit të veprimeve inkriminuese, rrethanë tjetër lehtësuese e ka vlerësuar jetën e mëparshme të kryerësit, e që nga provat që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor, të gjithë dëshmitarët pa përjashtim pohojnë faktin se raportet ndërmjet kryerësit dhe tyre në fshat kanë qenë të mira, por ato janë keqësuar në kohën e luftës.
Për të gjitha këto arsye Apeli ka vendosur që Darko Tasiq të dënohet me burgim prej 11 vitesh, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, saktësisht përdhosjen e kufomave dhe plaçkitje të sendeve të luajtshme.