Qeveria është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri.
Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.
Lidhur me këtë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se koordinimi i Kosovës për zbatimin e Ligjit për të huajt, duhet të përcillet me ecjen përpara të aplikimit të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një shkrim në “X”, Rama ka vlerësuar se BE-ja duhet të tregojë guxim dhe se përfshirja e Ballkanit në BE është fitore e vetë Evropës.
“Ne mirëpresim koordinimin Kosovë-BE për Ligjin për të huajt. Shpërbërja e strukturave paralele është punë e vështirë. BE-ja duhet të tregojë guxim dhe t’i heqë masat ndëshkuese e të ecë përpara me aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së s’është bamirësi. Është fitore strategjike e vetë Evropës” – ka shkruar Rama.