Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Visar Demolli, e ka konsideruar të papranueshme mbajtjen e tubimeve nga partitë politike në hapësira të mbyllura, në kohën kur këto janë të ndaluara nga Ministria e Shëndetësisë.
Demolli në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se vlera e gjobave ndaj restoranteve për shkelje të masave anti COVID-19 ka shkuar në 3.2 milionë euro.
“Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tërë vitin na ka thënë që është pandemi dhe nuk duhet të punojmë duhet të respektojmë masat anti COVID. Por duke i parë fotografitë që janë duke qarkulluar, shihet së në të gjitha sallat e restoranteve të cilat janë për dasma, janë duke u përdorur për fushatë zgjedhore nga partitë politike”.
“Dua të pyes se pse ne nuk kemi të drejtë të punojmë? Mbi 30 mijë punëtorëve iu është ndaluar e drejta e punës, ndërsa fushatat nga partitë politikë nuk janë duke u ndaluar për asnjë fije. Vlera e gjobave të bizneseve të hotelerisë ka arritur në 3.2 milionë euro. A është ky standard i dyfishtë, apo subjektet politike nuk janë duke gjobitur se janë të fortë?”, ka thënë Demolli.
Demolli ka thënë se partitë politike nuk janë duke u gjobitur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovës (AVUK) pas tubimeve që janë duke mbajtur ditëve të fundit.
“Kemi informacione se AVUK nuk është duke gjobitur partitë politike. Disa kolegë të mi dhe anëtarë të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit nuk janë duke ua lejuar mbajtjen e këtyre tubimeve në salla të dasmave. Një pjesë tjetër janë duke e lejuar sepse janë të afërm me personat e partive politike”, ka thënë Demolli.