Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, përmes misioneve tona diplomatike është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Lindje të Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme.
Sipas të dhënave më të fundit, në Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës, në Arabia Saudite 331 qytetarë, ndërsa në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë të lajmëruar deri më sot.
Po ashtu, në Katar ndodhen 75 qytetarë, në Kuvajt rreth 60, në Bahrein katër dhe në Oman dy qytetarë të Kosovës.
Sipas informacioneve nga misionet diplomatike, të gjithë qytetarët aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
MPJD ka bërë të ditur se po punon në mënyrë të koordinuar me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuim, nëse kjo paraqitet si e nevojshme.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur, ndërsa janë të disponueshme edhe disa opsione fluturimi, nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.
Megjithatë, institucionet vendore të shteteve të rajonit rekomandojnë që në këtë fazë të mos ndërmerren udhëtime deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë. Sipas tyre, çdo udhëtim në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale, pasi shtetet nuk mund të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme nga zhvillimet e paparashikueshme.
MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mbajnë kontakt të rregullt me përfaqësitë diplomatike.
Për nevoja urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë ambasadat e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe (+971 547092109), Izrael (+972 586 340450), Arabinë Saudite (+966 537508835) dhe Katar (+974 5055 9453).
Ministria ka theksuar se mbetet maksimalisht e angazhuar për sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe do të informojë rregullisht për çdo zhvillim të ri.