LAJME

Operacioni i SHBA-së: 125 avionë dhe mashtrim taktik”, ndaj Iranit (Detajet)

Operacioni i SHBA-së: 125 avionë dhe mashtrim taktik”, ndaj Iranit (Detajet)
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Shkurt 2026, 10:04

Washingtoni ka zbuluar detaje të operacionit të fuqishëm ushtarak ndaj Iranit, të koduar “Midnight Hammer”, i cili u zhvillua të shtunën mbrëma, 21 qershor, dhe u përqendrua në tre objektiva kyçe të programit bërthamor iranian: Fordow, Natanz dhe Isfahan.

Në një konferencë për mediat nga Pentagoni, Shefi i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, Gjenerali Dan Caine, konfirmoi se më shumë se 125 avionë morën pjesë në sulmin e befasishëm, përfshirë 7 bombardues B-2 Spirit, tankera furnizimi, avionë zbulimi dhe forca mbrojtëse ajrore.

Gjenerali zbuloi se bombarduesit B-2 hodhën më shumë se 12 bomba të tipit “Massive Ordnance Penetrator”, të dizajnuara për të shkatërruar objektiva të thellë nëntokësorë. Sulmi ndaj objektivave bërthamore iraniane nisi në orën 18:40 ET (me orën lokale amerikane) dhe avionët dolën nga hapësira ajrore iraniane deri në 19:00, duke e bërë operacionin jashtëzakonisht të shpejtë dhe të saktë.

Janë përdorur edhe raketat Tomahawk, goditën objektiva të caktuar në qytetin Isfahan, pjesë e një fushate të koordinuar me precizion të lartë.

Operacioni përfshinte gjithashtu një manovër mashtrimi taktik. Sipas Gjeneralit Caine, një pjesë e flotës fluturoi drejt Paqësorit për të devijuar vëmendjen dhe për të ruajtur surprizën. Kjo strategji ishte e njohur vetëm nga një numër shumë i kufizuar planifikuesish ushtarakë në Washington dhe Tampa.

Ky është misioni më i gjatë me B-2 që prej 11 shtatorit 2001, tha Caine, duke e quajtur operacionin një “arritje logjistike dhe taktike të jashtëzakonshme”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nga po i njëjti podium në Pentagon, tha se me këtë operacion, “ambiciet bërthamore të Iranit janë shkatërruar”. Ai vlerësoi udhëheqjen e presidentit Trump si “vizionare dhe të guximshme” dhe tha se SHBA ka vepruar me “fuqi të përqendruar dhe të matur”.

Operacioni vjen pas një përshkallëzimi të tensioneve mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, duke e zhytur rajonin në një situatë të pasigurt që tashmë po ndiqet nga afër nga fuqitë botërore.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika