Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke folur për zgjedhjen e presidentit ka thënë se Kryesia e Kuvendit nuk mund të veprojë pa pasur kandidatë që i kanë nga 30 nënshkrime.
Ajo ka thënë se partitë politike duhet t’i braktisin qëndrimet bllokuese e që nuk japin zgjidhje.
Sipas saj, vendi ka nevojë për stabilitet.
“Zgjedhja e presidentit është moment i rëndësishëm dhe procesi i zgjedhjes së tij ose saj duhet të reflektojë përgjegjësi, maturi dhe frymë bashkëpunimi. Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe përqendrim të plotë te prioritetet që prekin jetën e qytetarëve. Nuk është koha as për përplasje e as për kërkesa të parealizueshme që e largojnë procesin nga thelbi i tij. Kushtetuta kërkon 80 vota në kuti për raundin e parë dhe të dytë, ndërkaq në raundin e tretë mund t’i kemi 61 vota për. Kjo do të thotë se fryma është qartësisht frymë konsensuesi. Mirëpres takimet që kanë nisur ndërmjet partive politike”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se nuk mund të veprojnë për sa kohë që nuk ka kandidatë që i kanë nga 30 nënshkrime.
“Ne i kemi parë qëndrimet e partive politike vitin e kaluar. Qëndrimet të cilat më shumë bllokojnë se sa japin zgjidhje e dimë rezultatin që e prodhojnë. Qëllimi është që të gjejmë një figurë që i siguron votat. Unë nuk po i paragjykoj qëndrimet e subjekteve politike, por për mua qëndrimet që bllokojnë nuk janë të mirëseardhura”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë janë dakorduar që më 5 mars janë të mbahet seanca solemn e me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./KOHA