LAJME

Më 5 mars, seancë solemne për Epopenë e UÇK-së

Më 5 mars, seancë solemne për Epopenë e UÇK-së
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Mars 2026, 12:12

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së Kryesisë të Kuvendit njoftoi se më 5 mars do të mbahet seancë solemne për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo seancë do të mbahet më 5 mars në orën 10:00. Pos krerëve të shtetit do të flasin edhe përfaqësues nga grupet parlamentare” – tha Haxhiu më 02.03.2026.

5, 6, dhe 7 marsi shënojnë përvjetorin e rënies së Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998.

Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika