LAJME

Totaj kundërshton ligjin për Inspektoratin Qendror: Pa komuna të forta, nuk ka Kosovë të fortë

Totaj kundërshton ligjin për Inspektoratin Qendror: Pa komuna të forta, nuk ka Kosovë të fortë
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Mars 2026, 11:02

Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar publikisht ndaj ligjit të miratuar për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, përmes të cilit kompetencat e inspektorateve komunale në fushën e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë kalojnë nga niveli lokal në atë qendror.

Totaj e ka cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet e decentralizimit.

Sipas tij, ky hap bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, të cilën Kosova e ka pranuar si standard bazë për demokracinë lokale.

“Komuna nuk është degë e administratës qendrore, por institucion i të zgjedhurve nga qytetarët”, thuhet në reagimin e tij, duke theksuar se inspektorati komunal ka rol kyç në mbrojtjen e konsumatorit, biznesit lokal dhe rendit në treg.

Kryetari Totaj ka paralajmëruar se heqja e këtyre kompetencave përbën centralizim që dobëson komunat, rrit burokracinë dhe largon institucionet nga qytetari.

Ai ka shtuar se nuk do të heshtë përballë vendimeve që, sipas tij, cenojnë autonominë lokale dhe interesin e qytetarëve.

“Decentralizimi është themel i shtetit demokratik. Pa komuna të forta, nuk ka Kosovë të fortë”, përfundon reagimi i tij.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika