Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti të hënën në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, të cilin e uroi për marrjen e detyrës, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, Osmani theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore e strategjike, të ndërtuara mbi themele të forta historike, kombëtare dhe shtetërore.
Në këtë kontekst, thuhet se presidentja Osmani falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe në çdo proces të rëndësishëm diplomatik, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të rregullt politik dhe diplomatik në të gjitha nivelet.
Sipas njoftimit, të dy bashkëbiseduesit theksuan se forcimi i partneritetit vëllazëror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet thelbësor për avancimin e interesave të përbashkëta dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në familjen euroatlantike.
“Sot prita në takim kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi. Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e natyrshme, strategjike dhe e pathyeshme. Uniteti ynë është forcë, koordinimi ynë është garanci, ndërsa vizioni ynë është paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike. Në kohë sfidash globale, qëndrimi ynë i përbashkët është forca dhe siguria jonë” – ka shkruar Osmani në Facebook pas takimit me Peleshin.