LAJME

Universiteti i Prizrenit merr akreditim institucional 5-vjeçar

Universiteti i Prizrenit merr akreditim institucional 5-vjeçar
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Shkurt 2026, 19:44

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka siguruar akreditim institucional 5-vjeçar, duke shënuar një arritje të rëndësishme në konsolidimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë.

Vendimi është marrë pas raportit pozitiv të ekspertëve ndërkombëtarë dhe është miratuar nga Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) në mbledhjen e mbajtur më 23 shkurt 2026. Ky vlerësim i jep universitetit kredibilitet të plotë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke konfirmuar përmbushjen e standardeve të larta në cilësinë akademike, menaxhim, infrastrukturë dhe procese administrative.

Sipas njoftimit të universitetit, ky sukses është rezultat i angazhimit të stafit akademik dhe administrativ, përkushtimit të studentëve, si dhe punës së menaxhmentit dhe mbështetjes së partnerëve institucionalë. Bashkëpunimi i të gjithë komponentëve ka ndikuar në forcimin e standardeve dhe përmirësimin e proceseve të brendshme.

Menaxhmenti ka falënderuar Agjencinë Kosovare për Akreditim (AKA) dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë për procesin profesional dhe transparent të vlerësimit.

Akreditimi 5-vjeçar pritet të hapë mundësi të reja për zhvillimin e programeve akademike, rritjen e kërkimit shkencor dhe thellimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke e pozicionuar Universitetin “Ukshin Hoti” si një institucion me standarde të larta dhe të besueshme në fushën e arsimit të lartë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika