Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se nuk mund të kërkohen votat për president pa u ditur emri i propozuar për këtë pozitë. Këtë qëndrim, ajo e shprehu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke komentuar propozimin e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që partia e tij ta propozojë emrin për të parin e shtetit.
“Nuk po paragjykoj qëndrimet e subjekteve politike, vetëm për mua qëndrimet që bllokojnë nuk janë të mirëseardhura. Asnjëra prej subjekteve politike nuk mund t’i thotë dikujt ‘që është vetëm kandidati im partiak, m’i siguro ti nënshkrimet dhe votat në Kuvend’. Nuk është në rregull që mos të dihet as emri, e të kërkohet sigurimi i nëshkrimeve dhe votat në Kuvend”- tha Haxhiu, më 02.03.2026.
Kur u pyet pse nuk po e propozon Lëvizja Vetëvendosje sërish presidenten Vjosa Osmani, ajo iu shmang përgjigjen.
“Një kat më poshtë, është Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes. Të inkurajojë që të merrni qëndrimin nga Vetëvendosje. Sot flasë si Kryetare e Kuvendit” – tha ajo.
Haxhiu tha se Kryesia e Kuvendit nuk mund të veprojë pa pas kandidatë që i kanë 30 nënshkrime.
“Kërkohen që të jenë dy kandidatë. Por, lejohet që të jenë edhe tre ose katër kandidatë. Kuvendi i ka 120 deputetë, dhe secili kandidat duhet të ketë 30 nënshkrime. I njëjti deputetë nuk mund të ketë nënshkrim për më shumë se një”- shtoi ajo.
Ajo tha se vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe përqëndrim të plotë te prioritetet që prekin drejrpërdrejtë jetën e qytetarëve.
“Nuk është koha as për kërkesa as përplasje të parealizueshme që e largojnë procesin nga thelbi i tij”- shtoi ajo.
Haxhiu tha se është e rëndësishme që të kalohen dy raundet me nga 80 vota në kuti, ndër raundi i tretë mjaftojnë t’i kemi 61 vota për.
“Kjo do të thotë që fryma e saj është qartësisht frymë koncensusi. Askush nuk mund ta bëj vetë”- tha ajo.
Kanë mbetur edhe tri ditë deri të zgjedhja ose rizgjedhja e Presidentit të Kosovës, mirëpo ende nuk është arritur një ujdi për emrin se kush do të jetë i pari i ardhshëm i vendit.
Kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar se sot më datë 02.03.2026, pikërisht për këtë çështje do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Ky do të jetë takimi i dytë mes tyre në lidhje me zgjedhjen e Presidentit./Kallxo.com