Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më datë 27.02.2026, në intervalin kohor 10:00 – 12:00, patrullat e Stacioneve Policore të Prizrenit, Prizren-Veri dhe Njësisë për Rregullimin e Komunikacionit Rrugor kanë ndërmarrë një aksion të koordinuar kundër parkingjeve të parregullta në qytetin e Prizrenit, kryesisht në qendër të qytetit.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj kohe janë shënuar gjithsej 106 gjoba për shkelje të rregullave të parkimit.
“Parkimet e parregullta mbeten një sfidë e përditshme për qytetin e Prizrenit. Ato jo vetëm që pengojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve, por shpesh krijojnë situata të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve. Policia është e vendosur të intensifikojë kontrollet dhe të ndërmarrë masa konkrete për të garantuar rend dhe siguri në komunikacion” – shkruan Policia.
Policia ka ftuar të gjithë qytetarët që të kontribuojnë me sjellje të përgjegjshme në rrugë.
“Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një Prizren më të qetë dhe më të bukur për të gjithë. Respektimi i rregullave të komunikacionit është çelësi për një qytet më të sigurt dhe më të rregullt” – thuhet në njoftim.