Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar boksieren kosovare, Donjeta Sadiku, për triumfin e saj në turneun ndërkombëtar të boksit “Strandja 2026”, i mbajtur në Sofje, ku ajo fitoi medaljen e artë në kategorinë 60 kilogramë.
Sadiku arriti sukses të madh duke mposhtur në finale kampionen e botës nga Brazili, Rebeca Santos de Lima, duke konfirmuar kështu formën e saj të jashtëzakonshme dhe dominimin në këtë turne prestigjioz.
Sipas Kurtit, boksierja kosovare shkëlqeu gjatë gjithë garës, duke regjistruar fitore të njëpasnjëshme ndaj kundërshtareve cilësore nga Çekia, Ukraina dhe Egjipti. Nën drejtimin e trajneres Marjola Sallauka, ajo dëshmoi teknikë të lartë dhe përgatitje të shkëlqyer fizike, veçanërisht në finalen vendimtare kundër kampiones së botës.





