Manifestimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfundon sonte me natën e zjarreve në Prekaz.
Manifestimi nisi më 5 mars, ku fillimisht në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore iu kushtua Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.
Po në të njëjtën ditë janë mbajtur seanca solemne nëpër të gjitha Kuvendet Komunale, është hapur ekspozita “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”, në Bibliotekën Kombëtare, si dhe është mbajtur parada e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.
6 marsi ka nisur me homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz , ekspozita me fotografi, si dhe ka përfunduar me një akademi përkujtimore në Prishtinë.
Kurse, sot janë paraparë të mbahen një turnir në shigjetari në Skenderaj dhe një tjetër i shahut në Prishtinë.
E duke nisur nga ora 17:45, mbahet manifestimi Nata e Zjarreve, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz për të vazhduar me një koncert pa praninë e publikut në Stadiumin e futbollit në Skenderaj./kp