CNN nuk e ka projektuar fituesin, mes Donald Trump dhe Joe Biden, në nëntë shtete në SHBA – Alaska, Arizona, Georgia, Michigan, Maine, Nevada, Karolina e Veriut, Pennsylvania dhe Wisconsin.
Derisa kanë mbetur edhe shumë vota pa u numëruar, korrespodenti i CNN Phil Mattingly ka treguar se cilat janë opsionet reale që Joe Biden të bëhet president i SHBA-së.
“Nëse Trump e fiton Alaskën, Karolinën e Veriut, Pennsylvaninë dhe Georgia dhe nëse Biden e mban epërsinë në Wisconsin, Nevada, Arizona dhe Maine dhe e mund Trump në Michigan, atëherë fitorja është e Biden”, ka thënë Mattingly.
“Nëse ju jeni demokrat dhe keni rënë në gjumë duke supozuar se po ndodh skenari i njëjtë si në vitin 2016 dhe gjithçka ka marrë fund, nuk është kështu. Ekziston një mundësi reale, me shumë vota akoma që duhet të numërohen, por është një mundësi”, ka shtuar ai.
Por, ku duhet Donald Trump të fitojë, ta mbajë epërsinë, ose ta përmbysë rezultatin në mënyrë që të jetë edhe për një mandat në krye të SHBA-së?
Nëse Trump e fiton Pennsylvaninë, e mban epërsinë në Michigan dhe përmbys rezultatin në Nevada, sepse aktualisht është një garë shumë e ngushtë, ai do t’i ketë votat që i duhen.
“Atij nuk i duhet të fitojë Georgian, duhet të marrë pak territor demokratik dhe duhet të gjejë një mënyrë që ta mbajë disi Joe Biden larg fitores në Michigan, dhe të mbahet në një epërsi të vogël që e ka tani në Pennsylvania, dhe do t’i ketë 270 vota elektorale”, ka deklaruar ai.