LAJME

Rrahmani: Kurti dhe VV-ja synojnë eliminimin politik të Osmanit, Kosova po rrëshqet drejt diktaturës

Rrahmani: Kurti dhe VV-ja synojnë eliminimin politik të Osmanit, Kosova po rrëshqet drejt diktaturës
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Mars 2026, 11:15

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, ka thënë se me lëvizjet e fundit Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e synojnë eliminimin politik të presidentes Vjosa Osmani.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes ka akuzuar partinë në pushtet se po mban qasje përjashtuese ndaj çdo partie opozitare. Sipas tij, Kosova është në rrezik serioz për të përfunduar në diktaturë.

“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje synojnë eliminimin politik të Presidentes Vjosa Osmani dhe mbajnë qasje përjashtuese ndaj çdo partie opozitare, vendi, shoqëria dhe demokracia janë në rrezik serioz. Sot kemi vetëm dy rrugë: Ose shkojmë në zgjedhje të reja dhe ia kthejmë vendimin qytetarit, Ose heshtim dhe lejojmë që vendi të rrëshqasë drejt një autoritarizmi të plotë, me prirje drejt një diktature”, ka shkruar Rrahmani në Facebook të mërkurën.

Kryetari i LVV-së dhe kryeministri Albin Kurti në javët e fundit është takuar pesë herë me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në diskutimet për të caktuar emrin e presidentit. Takimet nuk kanë rezultuar me emra për president.

E presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur ambicie edhe për një mandat. Gjithsesi, Kurti nuk e ka përmendur si kandidate të mundshme, por që ka thënë se në Kuvend duhen 80 deputetë për të siguruar zgjedhjen e presidentit.

Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja. Ka pasur interpretime të ndryshme se a duhet të jetë kjo datë 4 apo 5 marsi. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pati thënë se është 4 marsi, e në LDK një ditë më herët u shprehën se afati përfundon më 5 mars.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.

Kurti ka deklaruar më herët se beson që Murat Jashari, i biri i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të jetë figurë e përshtatshme për postin e presidentit. Por megjithëkëtë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.

Ndryshe prej tij, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e ka shprehur synimin për edhe një mandat në krye të shtetit, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje, e cila e pati propozuar atë në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. E në partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për “njëanshmëri në favor të Qeverisë”.

Sipas Kushtetutës, për ta propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Kurti ka thënë që në rast se nuk arrihet marrëveshje për një figurë me mbështetje të gjerë, atëherë një nga opsionet është që secila parti ta propozojë kandidatin e vet dhe që procesi të zhvillohet nëpërmjet garës në Kuvend.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se oferta e fundit e PDK-së në takimet me Kurtin ka qenë që PDK-ja ta propozojë një kandidat e që VV-ja ta mbështesë. Kurti e ka interpretuar si hapje të garës, por kjo është refuzuar nga Hamza.

Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim për president ka shprehur edhe akademiku dhe ish-ministri, Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë e tjera.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentja Osmani u pati zgjedhur më 4 prill të 2021-tës.

Nëse Kuvendi dështon që ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe me zgjedhje të parakohshme parlamentare. E vetëm vitin e shkuar, Kosova mbajti dy herë zgjedhje parlamentare dhe një herë lokale./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika