Policia e Kosovës njofton se ka ekstraduar për Maqedoni të Veriut një të kërkuar për vrasje.
Sipas Policisë, personi në fjalë ishte arrestuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, pasi që kërkohej nga Interpol me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, për veprën penale “Vrasje”, si dhe dyshohej se i ishte shmangur drejtësisë.
Siç bën të ditur Policia, ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërinstitucional ndërmjet ë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Tutje, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor thekson se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe në funksion të gjurmimit, kapjes dhe arrestimit të personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.