LAJME

Familja e Albian Osmanajt paralajmëron protestë në Prizren: Kërkojmë drejtësi dhe më shumë vëmendje për rastin

Familja e Albian Osmanajt paralajmëron protestë në Prizren: Kërkojmë drejtësi dhe më shumë vëmendje për rastin
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Shtator 2026, 08:34

Familjarët e Albian Osmanajt kanë paralajmëruar organizimin e një proteste në Prizren, pas vendimit për dënimin me nëntë vjet burgim të të miturit të dënuar për vrasjen e 27-vjeçarit nga Kobaj.

Nisma për protestën është bërë e ditur nga Qendresa Berisha, familjare e Albian Osmanajt, e cila përmes një thirrjeje drejtuar mediave ka kërkuar mbështetje për sensibilizimin e qytetarëve dhe pjesëmarrje sa më të madhe në protestë.

“Duam t’i japim zë Albianit dhe familjes së tij dhe të kërkojmë që të hapet një diskutim serioz për ligjin dhe mënyrën se si trajtohen rastet e vrasjeve të rënda të kryera nga të miturit”, thuhet në thirrje.

Albian Osmanaj humbi jetën më 14 qershor 2026, pas një përleshjeje në fshatin Kobaj të Prizrenit. Në raportimet e para për rastin ishte bërë e ditur se konflikti dyshohej se kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me emërtimin e një rruge. 27-vjeçari kishte pësuar plagë të rënda nga mjeti i mprehtë dhe nuk kishte arritur t’u mbijetonte atyre.

Pas zhvillimit të procedurës gjyqësore, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, më 21 shtator shpalli aktgjykim dënues ndaj të miturit A.O., duke e dënuar me nëntë vjet burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Sipas njoftimit të gjykatës, në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ndaj aktgjykimit palët kanë të drejtë ankese.

Familja ka shprehur pakënaqësi me vendimin. Edhe avokati i familjes, Blerim Mazreku, ka deklaruar se familjarët konsiderojnë se duhej të shqiptohej dënimi maksimal i paraparë për të miturin, duke iu referuar kufirit prej 10 vitesh.

Në thirrjen për protestë, familjarët thonë se synojnë që aktiviteti të jetë paqësor dhe respektues, duke u dhënë hapësirë familjes, miqve dhe qytetarëve që duan t’i bashkohen kërkesës së tyre.

“Dëshirojmë që gjithçka të organizohet në mënyrë paqësore dhe të respektueshme, duke i dhënë zë familjes, njerëzve që e kanë njohur Albianin dhe të gjithë atyre që duan të bashkohen me kërkesën tonë për drejtësi”, thuhet në thirrje.

Familjarët kanë kërkuar nga mediat që ta publikojnë njoftimin për protestën, me qëllim që iniciativa të bëhet e njohur dhe të informohen qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë.

Detajet për datën, orën dhe lokacionin e protestës pritet të bëhen të ditura nga organizatorët.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika