Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është vendosur që zgjedhjet për kryetarë të komunave të veriut të shtyhen për në muajin prill të vitit 2023, për shkak të nivelit të rrezikshmërisë. Pas takimit me përfaqësues të partive, Osmani ka thënë se ka marrë një raport të përbashkët të Policisë dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për vlerësim të nivelit të rrezikut e se për të ka refuzuar të japë detaje.
Zgjedhjet në veri paraprakisht ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor, pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave veriore një muaj më herët. Të gjithë kryetarët ishin nga Lista Serbe, që nisi bojkotin e institucioneve të Kosovës pasi Qeveria vendosi t’i ndëshkojë pronarët e veturave me targa ilegale. Kjo parti vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet e reja. Por kur zyrtarët e zgjedhjeve shkuan në komunat veriore për t’u përgatitur për zgjedhje, u përballen me sulme me shok-bomba e armë. Si pasojë, një polic është plagosur.





