LAJME

‘Model i gruas shqiptare në luftën për liri’ – Akademi përkujtimore për Flora Brovinën

‘Model i gruas shqiptare në luftën për liri’ – Akademi përkujtimore për Flora Brovinën
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Shtator 2026, 11:21

Në Prishtinë u mbajt akademi përkujtimore në nderim të veprimtares dhe ish-deputetes, Flora Brovina, e cila vdiq më 15.09.2026 në moshën 76-vjeçare.

Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë bashkë-veprimtarë të Brovinës, mjekë, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figura politike të vendit, të cilët folën për jetën dhe veprimtarinë e saj në humanizëm, letërsi, mjekësi si dhe për veprimtarinë e saj në periudhën e luftës në Kosovë.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica tha se në veprimtarinë e saj në luftë, Brovina nuk hezitoi se furnizuari kolegët me armë, uniforma, paisje shëndetësore e mbi të gjitha me kurajon që ajo kishte.

“Para së gjithash ajo ishte një luftëtare e UÇK-së e cila nga arma në brez deri në kazamatet serbe nuk e ndali veprimtarinë. Me ballë lart nuk u ndal asnjë çast për të furnizuar kolegët me armë, me uniforma, me barna e shërbime, me pajisje shëndetësore dhe me kurajën që ishte qenësore në atë kohë. Edhe në liri u dëshmua si veprimtare, humaniste e atdhetare fisnike. Duke qenë shpesh krahë saj me shokë e shoqe të tjera, veprën e doktor Flora Brovinës e njohim nga afër, ndaj pikëllimi ynë në këto çaste dhimbjeje, na bën krenarë që patëm njërën nga nënat e motrat tona, padyshim që kurdo herë u gjend në ballë të reflektimeve e situatave duke mos kursyer asgjë për ditën që gëzojmë sot, për lirinë e atdheut.” – tha Galica.

Nga Oda e Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tregoi se në emër të odës dhe mjekëve të Kosovës, përulen me respekt ndaj jetës dhe veprës së Brovinës.

“Të gjithë ata që e njohën e dinë që doktoresha Flora ishte mishërim i vërtetë i Musine Kokolarit, Shotë Galicës, Xhevë Lladrovcit dhe me të drejtë me një përshkrim të babit tim të ndjerë e quajti luaneshë shqiptare. Sot në emër të Odës së Mjekëve të Kosovës dhe 6 mijë mjekëve përkulemi me respekt të thellë para jetës dhe veprës së Flora Brovinës. Flora i takonte brezit të hershëm të mjekëve shqiptarë në Kosovë, të cilat profesionin e mjekësisë nuk e panë si punë por si mision” – u shpreh Sejdiu.

Ndërsa, Ibadete Canolli, ish-pjesëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se Flora Brovina do të mbetet model i një gruaje të guximshme dhe të përkushtuar ndaj lirisë dhe kombit.

“Ajo ishte një grua e fortë, humane dhe e përkushtuar. Një grua që frymëzonte me guximin, mirësinë dhe përkushtimin e saj. Ishte dhe mbetet model i gruas shqiptare në luftën për liri dhe bashkim kombëtar. Doktoreshë, fjalët duken të vogla përballë asaj që ishe dhe asaj që le pas. Do të na mungojë zëri yt, prania jote dhe ajo forca e veçantë me të cilën na frymëzoje. Mësova shumë nga ti, mësova profesionin dhe mësova t’i dua pa kushte njerëzit e vendit tim” – u shpreh Canolli.

Tutje, ish përfaqësuesi i të burgosurve, Bajrush Xhemajli tregoi se lajmi për vdekjen e Brovinës i pikëlloi jo vetëm të afërmit, por të gjithë ata që patën rastin të bashkëveprojnë me të.

Xhemajli theksoi se emri i saj do të jetë gjithmonë emër që lidhet me dinjitetin, qëndresën dhe sakrificën.

“Lajmi për vdekjen e doktoreshës Florë na pikëlloi thellë të gjithë neve që e njohëm, bashkëvepruam e bashkëluftuam me të për lirinë, barazinë, të drejtat e njeriut, emancipimin dhe demokratizimin e shoqërisë si dhe për shlirimin dhe bashkimin e kombit tonë. Sot jemi mbledhur këtu për t’i dhënë lamturmirën e fundit, për ta nderuar, respektuar, një grua, një nënë, një mjeke të përkushtuar, një poete të dalluar, një humaniste me zemër të madhe, një veprimtare e luftëtare të një prej periudhave më të rënda të historisë sonë. Flora është një emër që lidhet me dinjitetin, qëndresën dhe sakrificën.” – deklaroi Xhemajli.

Ndërsa, i pranishëm ishte edhe drejtori i Federatës Universale të Paqës në Ballkan, Gani Rroshi, i cili tregoi se ende i mbanë mend disa fjali të cilat ia kishte thënë Brovina.

Ai potencoi se në zemrën e saj nuk kishte urrejtje, por vetëm paqe dhe drejtësi.

“Si një njeri i paqes, fjala që më tingëlloi akoma në veshët e mi të doktoreshë Florës në tubimet tona janë: “Ne jemi misionarë të paqës. Secili nga ne është i përkohshëm në këtë botë ndaj, për aq kohë sa jemi këtu duhet të bëjmë gjith çka për të ndihmuar njerëzit dhe për t’i shërbyer kombit. Doktoreshë Flora e ka përfaqësuar denjësisht Kosovën në mjaft veprimtari e samite ndërkombëtare për paqën. Në zemren e saj nuk kishtë mëri, nuk kishte urrejtje, në zemrën e saj kishte vetëm paqe dhe dëshirë për drejtësi” – tha Rroshi.

Brovina do të varroset në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, sot, më 18.09.2026 në ora 16:00.

Flora Brovina ishte ish-deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, humaniste, politikane dhe veprimtare për të drejtat e njeriut. Ajo kishte përvojë pune 9-vjeçare edhe si gazetare për shëndetësi në gazetën “Rilindja”.Për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut ajo është nderuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.Ndërsa, për veprimtarinë e saj kombëtare, Brovina ishte dekoruar edhe nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani, gjatë mandatit të tij presidencial 1997–2002.Për kontributin e saj në kauzat humanitare, më 8 qershor 2012, ajo u nderua edhe me Medaljen Humanitare “Nëna Terezë”, nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.Brovina u nderua edhe me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, dhënë nga ish-presidenti Hashim Thaçi, në vitin 2018, për kontributin e saj si humaniste, atdhetare dhe mbrojtëse e të drejtave të grave dhe të njeriut./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika