Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish pas refuzimit të gjashtë deputetëve të partisë për të mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja dhe LVV-ja për kryetar të Kuvendit, Bekim Sejdiu.
Abdixhiku ka kritikuar deputetët që nuk e mbështetën kandidaturën, duke thënë se, sipas tij, pas qëndrimit të tyre nuk qëndrojnë parimet, por ambiciet për drejtimin e LDK-së.
“S’rrotullohet shteti për një ambicie. Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja, sipas tij, është njohur për një qasje tjetër politike dhe ka kritikuar ata që, siç shprehet, janë të gatshëm ta vendosin interesin personal mbi atë shtetëror.
Në fund, Abdixhiku ka shkruar: “Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”