Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I. B., A. G. Dhe V. Ç., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 i KPRK-së dhe Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 i KPRK-së.
Sipas aktakuzës, të pandehurit I. B. dhe A. G. akuzohen se në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga i pandehuri V. Ç. me mjet eksploziv të cilin e kanë fshehur në shtëpinë e të pandehurit I. B. dhe si rezultat i këtyre veprimeve kundërligjore të tyre, me datën 28.01.2020, gjatë bastisjes së kryer nga zyrtarët policorë në shtëpinë e të pandehurit I. B. zyrtarët policorë vijnë në kontakt me lëndën shpërthyese e cila aktivizohet dhe nga shpërthimi mbetet i vrarë një zyrtarë policor dhe dy të tjerë lëndohen rëndë.





