LAJME

Totaj: “Buxheti rekord”, por më pak në përqindje për komunat

Totaj: “Buxheti rekord”, por më pak në përqindje për komunat
TV Prizreni
TV Prizreni
3 Nëntor 2026, 13:41

Kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj, thotë se pavarësisht rritjes së buxhetit të komunave nga Qeveria për 4.66%, komunave u ndahet një pjesë më e vogël e buxhetit të shtetit për vitin 2027, në krahasim me atë të vitit 2026.

Sipas tij, teksa buxheti i komunave rritet nga 867.6 milionë euro më 2026 në 908 milionë euro më 2027, pjesëmarrja e komunave në buxhetin e përgjithshëm bie nga rreth 21.7% në vitin 2026, në 21.3% në vitin 2027.

Ai ka theksuar se nëse inflacioni vazhdon në nivelin e njejtë si gjatë këtyre muajve të fundit dhe rritja e koeficientit të pagave nga korriku mbulohet brenda kësaj shume, përllogaritja orientuese tregon se fuqia reale blerëse e mjeteve jashtë pagave bie nga rreth 445.6 milionë euro më 2026, në 433 milionë euro më 2027.

Kjo sipas Totajt, nënkupton rreth 12.6 milionë euro, ose 2.8%, më pak mundësi reale për investime, mirëmbajtje dhe shërbime.

Ai thotë se këtij presioni i shtohen edhe detyrimet nga kontratat kolektive.

Duke u bazuar në të dhënat e AKK-së, Totaj thotë se vetëm gjatë vitit 2026 komunave u janë marrë rreth 100 milionë euro përmes ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

“Vazhdimi i këtyre tërheqjeve edhe më 2027 do ta ngushtonte më tej hapësirën për investime. Komunat kanë nevojë për më shumë fuqi financiare për t’u shërbyer qytetarëve. Shifrat rekord në letër nuk e kompensojnë zvogëlimin e pjesëmarrjes në buxhet dhe humbjen e fuqisë blerëse.” – ka shkruar tutje Totaj në Facebook.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika