Në dy komunat ku rezultati preliminar ishte më i ngushti në balotazhin e 14 nëntorit, Dragash e Junik, votat me postë pritet ta vendosin çështjen e fituesve.
Në këto dy komuna ka numër më të madh të flotëvotime të aprovuara nga KQZ-ja, të ardhura nga diaspora, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për KOHËN. Numri i fletëvotime të aprovuara në Junik është 670, e në Dragash 308.
Në Junik, Ruzhdi Shehu nga LDK-ja ka 1.199 vota apo 50.61 për qind, derisa Agron Kuçi i AAK-së ka 1.170 vota apo 49.39 për qind. Diferenca këtu është 29 vota.
Ndërsa, në Komunën e Dragashit, Shaban Shabani i PDK-së ka 5.648 vota apo 50.21 për qind, ndërsa Bexhet Xheladini i LDK-së ka 5.601 vota apo 49.79 për qind. Diferenca mes tyre është 47 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të martën do të fillojë procesi i numërimit të fletëvotimeve që janë dërguar jashtë Kosovës, gjatë periudhës së votimit 29 tetor-12 nëntor.
KQZ-ja bën të ditur se kanë evidentuar 1.571 pako të supozuara me fletëvotime të ardhura me postë.
“Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako. Këto fletëvotime u takojnë komunave 19 komunave të ndryshme”, ka thënë Elezi.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po zhvillohen procedurat e parapara, “që gjithashtu sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se votat e e diasporës do t’ia japin fitoren partisë së tij në Dragash. Në bazë të rezultateve preliminare, LDK-ja i ka fituar shtatë komuna.