Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), EC Ma Ndryshe ka vijuar aktivitetin pjesëmarrës me banorët e lagjes “Lakuriq” në Prizren, konkretisht në rrugën “Besnik Belloda” dhe zonat përreth.
Sipas EC-it, qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbledhja e kërkesave, shqetësimeve dhe nevojave të qytetarëve lidhur me hapësirat publike dhe kushtet e jetesës në lagjet e tyre.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e kësaj organizate, gjatë aktivitetit, në hapësirat publike u vendos harta e lagjes, e cila shërbeu si mjet interaktiv për mbledhjen e komenteve, sugjerimeve dhe problemeve nga banorët.
“Aktiviteti u zhvillua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarë të moshave të ndryshme. Banorët ndanë shqetësimet dhe nevojat që hasin në përditshmërinë e tyre në lagje. Ndër çështjet më të theksuara ishin mungesa e ndriçimit publik në shumë rrugë, mungesa e trotuareve dhe hapësirave të sigurta për këmbësorë, si dhe mungesa e parkingjeve për banorët. Një problem i përhapur në pothuajse të gjitha rrugët e lagjes ishte mungesa e shportave për mbeturina, e cila u identifikua si një ndër kërkesat më të shpeshta të banorëve” – thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas njoftimit, në disa zona u ngritën shqetësime për gjendjen e rënduar të infrastrukturës, përfshirë kanalizimin, pastaj qasjen e vështirësuar për automjete, si dhe mungesën e sinjalistikës rrugore dhe trotuareve adekuate. Po ashtu thuhet se u evidentuan gardhe të dëmtuara që paraqesin rrezik për fëmijët, ndërsa në disa zona të tjera u raportuan fasada dhe kulme të amortizuara të banesave.
“Në rrugët më të frekuentuara, banorët propozuan vendosjen e policëve të shtrirë për sigurinë rrugore, krijimin e vendkalimeve për këmbësorët, si dhe shtimin e shtigjeve për biçikleta. Gjithashtu, kanë kërkuar më shumë gjelbërim, mbjellje pemësh, vendosje të ulëseve dhe krijimin e këndeve të lojërave për fëmijë në hapësirat publike” – njofton EC Ma Ndryshe.
EC Ma Ndryshe bën të ditur se të gjitha komentet dhe kërkesat e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do t’u përcillen institucioneve përkatëse, me qëllim adresimin e tyre dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e lagjes “Lakuriq”.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.