Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për 1 shtator, në shenjë kundërshtimi ndaj, siç thotë ai, centralizimit të kompetencave dhe cenimit të të drejtave të komunave.
Përmes një postimi, Totaj ka theksuar rëndësinë e komunave në funksionimin e shtetit, duke e krahasuar rolin e tyre me themelin e një shtëpie.
“Shtëpia nuk ndërtohet nga kulmi, por nga themeli. E themeli ynë janë komunat tona!”, ka shkruar Totaj.
Sipas tij, Qeveria po ua merr të drejtat lokale komunave, duke centralizuar vendimmarrjen dhe duke injoruar nevojat e qytetarëve.
Totaj ka deklaruar se kjo, sipas tij, nuk është një betejë politike, por një çështje që lidhet drejtpërdrejt me lagjet, qytetet dhe të ardhmen e fëmijëve.
“Mos lejo që vendimet për ty të merren vetëm nga një zyrë në kryeqytet, pa pyetur askënd!”, ka thënë ai.
Në fund, kryetari Totaj u ka bërë thirrje qytetarëve që më 1 shtator të dalin në protestë dhe, siç është shprehur ai, të kundërshtojnë “padrejtësinë” në mënyrë dinjitoze.