LAJME

Totaj i shqetësuar për rritjen e rasteve të dhunës: Siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet

Totaj i shqetësuar për rritjen e rasteve të dhunës: Siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Gusht 2026, 10:32

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur shqetësim lidhur me rastet e fundit të dhunës, vrasjeve dhe lëndimeve të qytetarëve në Kosovë.

Përmes një reagimi, Totaj i ka cilësuar këto ngjarje si alarmuese, duke bërë thirrje për një reagim serioz dhe të përgjegjshëm nga institucionet dhe shoqëria.

Ai i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve kompetente të sigurisë që të rrisin angazhimin dhe masat parandaluese, në mënyrë që qytetarët të ndihen më të sigurt në rrugë, lagje dhe hapësirat publike.

Totaj ka theksuar edhe rëndësinë e familjes dhe prindërve në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve për respektimin e jetës, ligjit dhe të tjerëve.

“Nuk duhet të mësohemi me dhunën dhe as ta pranojmë atë si pjesë të përditshmërisë. Jeta e njeriut është e shenjtë dhe siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet i të gjitha institucioneve”, ka deklaruar Totaj.

Ai ka vlerësuar se për një shoqëri më të sigurt përgjegjësia është e përbashkët dhe secili duhet të luajë rolin e tij.

“Populli ynë meriton më shumë, meriton paqe, siguri dhe një jetë me dinjitet”, ka thënë kryetari i Prizrenit, duke bërë thirrje për ruajtjen e paqes dhe qetësisë në vend.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika