Arsimtarja e matematikës, Remzije Elezi, të cilës Këshilli Drejtues i shkollës fillore “Flamuri i Arbërit” vendosi t’ia ndalojë ushtrimin e profesionit me veshje fetare, ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit në Suharekë që të anulojë vendimin dhe që t’i mundësohet kthimi në punë.
Avokati i saj, Muharrem Mujaj, ka thënë në një deklaratë për media se vendimi për largim nga puna ka qenë pa bazë ligjore.
“Javën e kaluar mësuesja është paraqitur në vendin e saj të punës me manifestim të bindjes së saj fetare dhe për shkak të kësaj ajo u largua dhunshëm duke i bërë presion psikik ndoshta dhe fizik dhe për pesë ditë nuk është lejuar që të vijojë në mënyrë të rregullt punën e saj. Këtë e ka bërë një drejtor i shkollës së bashku me disa ndihmës të tjerë e që ne sigurisht e kemi parë që nuk ka bazë ligjore as bazë faktike që ajo të largohet në atë mënyrë pa asnjë vendim të vetëm apo shkresë zyrtare. Të martën e kemi pranuar një shkresë zyrtare, i bie pas 7 ditësh një shkresë e cila më së paku është zyrtare… As nuk ka arsyetim as rrugë zyrtare e as ndonjë pjesë siç parasheh që të jetë akti administrative sipas Ligjit të procedurës së përgjithshme administrative”, ka thënë Mujaj, raporton KP.
Mujaj theksoi se tashmë kanë bërë kërkesë në DKA-në në Suharekë që ta anulojnë këtë vendim.
“Ne kemi bërë kërkesë në DKA në Suharekë që këtë shkresë zyrtare ta anulojë si të kundërligjshme dhe diskriminuese dhe ta kthejë mësuesen në vendin e saj të punës. Jemi në pritje shkresa është dorëzuar të mërkurën tash shohim se çka do të veprojnë më tutje”, ka thënë tutje Mujaj.
Sipas tij, arsimtarja Remzije Elezi e cila ka punuar për 31 vjet në shkollën fillore “Flamuri i Arbërit”, ka pasur sjellje shembullore dhe së fundmi ka vendosur mbulesën.
“Ne presim nga Drejtoria e Arsimit që të nxjerrë një vendim që ta hedhë shkresën që e ka nxjerr drejtori së bashku me një prind të asaj shkolle… Ne do të kërkojmë jo vetëm prej gjykatës, por do të kërkojmë edhe nga Prokuroria që të veprojë sipas detyrës zyrtare në lidhje me keqpërdorimin e detyrës dhe trajtimin e pabarabartë të qytetarëve të Kosovës në këtë formë çfarë i ka ndodhur mësueses… Ajo punon që 31 vite në institucionin e njëjtë në shkollën fillore në Reshtan të Suharekës. Nuk ka pasur asnjë vërejte më të voglën tërë këto vite. Ka qenë shembullore… Ajo tash është mbuluar”, theksoi avokati Mujaj.
Ai ka bërë të ditur se bashkë me mësuesen kanë dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës pasi u është penguar qasja në ambientet e shkollës.
Këshilli i Shkollës deri tash ka qenë i heshtur.
Ndërkaq drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, ka thënë se e kanë pranuar ankesën. Vendimi pritet të merret të hënën.
“Ende nuk kemi marrë ndonjë vendim. Kemi pranuar ankesën nga pala dhe jemi në pritje të interpretimit të ligjit. Jemi në koordinim me Ministrinë e Arsimit. Të hënën pritet të marrim vendim”, ka thënë Bajselmani për KOHËN.
Largimi i arsimtares nga vendi i punës për shkak të mbulesës ka ngjall reagime.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i cili ka thënë se bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna. Muharremaj ka thënë se për shkak që aktualisht nuk gjendet në Kosovë, në ditën e hënë do ta trajtojë këtë rast me prioritet në përputhje me ligjin dhe me urdhrin administrative të ministrisë së Arsimit.
Këshilli drejtues është arsyetuar se deri tek ky vendim ka ardhur duke u thirrur në udhëzimin administrativ, që ndalon bartjen e uniformës fetare.