Më 21 dhe 22 nëntor, Prizreni do të mirëpresë edicionin e katërt të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Sofra Prizrenase”, një ngjarje që do të sjellë në skenë këngën, vallen dhe veshjet tradicionale shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Qyteti i Prizrenit do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve të rëndësishme që promovojnë kulturën dhe trashëgiminë folklorike shqiptare. Më 21 dhe 22 nëntor 2026, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, do të mbahet edicioni i katërt i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Sofra Prizrenase”.
Festivali organizohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Lidhja e Prizrenit”, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të tij (2006–2026).
Përgjatë dy netëve, duke filluar nga ora 19:00, publiku do të ketë mundësinë të shijojë një program të pasur artistik, ku do të prezantohen këngë, valle dhe kostume tradicionale nga ansamble e shoqëri kulturo-artistike të trevave shqiptare.
Në natën e parë të festivalit, më 21 nëntor, do të ngjiten në skenë AKV “Lidhja e Prizrenit” nga Prizreni, Ansambli “Shqipet e Vogla” nga Mitrovica, “Aldo Dance” nga Durrësi, AKV “Deçani” nga Deçani, SHKA “Drita e Dervenit” nga Shkupi dhe Ansambli “AlbaFolk” nga Tirana.
Ndërkaq, më 22 nëntor, programi artistik do të vazhdojë me AKV “Ibe Palikuqi” nga Shkupi, Ansamblin “Osman Taka” nga Vlora, AAKV “Kastriotët” nga Ferizaj, AKV “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova, Ansamblin “Dhima Dance Academy” nga Lushnja, si dhe nikoqirin e festivalit, AKV “Lidhja e Prizrenit”.
Përveç karakterit festiv, “Sofra Prizrenase” synon të kontribuojë në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi dhe shkëmbimi artistik ndërmjet ansambleve dhe artistëve nga trevat e ndryshme shqiptare.
Ky edicion merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se organizohet në vitin jubilar të 20-vjetorit të Ansamblit “Lidhja e Prizrenit”, i cili për dy dekada ka dhënë kontribut në ruajtjen dhe promovimin e vlerave autentike të folklorit shqiptar.
Festivali organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Kosovës dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët, artdashësit dhe të gjithë dashamirët e kulturës e folklorit shqiptar që t’i bashkohen kësaj feste, e cila synon të dëshmojë edhe një herë se tradita mbetet një prej urave më të fuqishme që bashkon shqiptarët.
Më 21 dhe 22 nëntor, Prizreni do të jehojë nga kënga dhe vallja shqiptare, nën moton: “Në Prizren, kultura na bashkon!”
