Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas interpretimit të këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, duke kërkuar që BE-ja të zbatojë të njëjtat standarde edhe në ngjarjet që organizon vetë.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka theksuar se kjo këngë, e vitit 1989, lidhet me periudhën kur regjimi i Slobodan Millosheviqit po ia rrënonte Kosovës autonominë dhe po i përjashtonte shqiptarët nga shkollat, spitalet dhe vendet e punës.
Sipas Nagavcit, mesazhi i këngës është i qartë dhe përfaqëson diskursin nacionalist që e paraqet Kosovën si tokë serbe që nuk dorëzohet, një narrativë që, siç u shpreh ajo, i parapriu luftës, dëbimeve dhe masakrave në Kosovë.





