Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin tragjik të 26-vjeçares që ndërroi jetë, pasi fillimisht ishte dërguar në Emergjencë me dyshimin për gëlltitjen e një qeseje që mund të përmbante substancë narkotike.
Sipas njoftimit të spitalit, pacientja ishte sjellë nga Policia e Kosovës rreth orës 19:00. Pas pranimit, asaj i ishin kryer disa ekzaminime mjekësore, përfshirë RTG-në e traktit torako-abdominal, ultrazërin e abdomenit dhe ekzaminimin gjinekologjik.
Nga këto ekzaminime, sipas spitalit, nuk ishin evidentuar gjetje pozitive. Gjendja shëndetësore e 26-vjeçares ishte vlerësuar stabile dhe, pas vlerësimit mjekësor, ajo ishte liruar nga Shërbimi i Emergjencës.
Por, rreth orës 00:45, e njëjta paciente ishte sjellë sërish në Emergjencë nga ekipi i Urgjencës, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, kësaj radhe pa shenja vitale.
Menjëherë ishin ndërmarrë masat e reanimimit kardiopulmonar dhe ishte konsultuar edhe mjeku anesteziolog. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, pacientja ka ndërruar jetë.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Prizren kanë shprehur keqardhje për rastin, duke theksuar se rrethanat e plota të ngjarjes duhet të sqarohen nga organet kompetente.
Institucioni ka bërë të ditur se është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me organet përgjegjëse dhe të ofrojë të gjithë dokumentacionin e informacionin e nevojshëm për zbardhjen e rastit.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.