Sot në ora 16:30 minuta, në stadiumin e qytetit” Përparim Thaçi” në Prizren, në kuadër të javës së V-të të ligës së dytë të Kosovës në futboll, do të takohen FC “ Prizreni” dhe KF “ Opoja” nga Dragashi.
Përderisa skuadra nga Prizreni ka startuar mbarë në fillim të kampionatit, duke shënuar 3 fitore dhe 1 barazim, dhe me 10 pikë të grumbulluara ndodhet në kreun e tabelës së klasifikimit, në anën tjetër, debutuesja në këtë rang garash “ KF “ Opoja” nuk ka filluar mbarë kampionatin, pasi pas katër xhirove të zhvilluara, ka arritur të arkëtojë vetëm një pikë duke barazuar me KF “ Tefik Çanga” nga Ferizaj, si dhe ka pësuar tre humbje, duke u renditur në fundin e tabelës.
Pritet që kjo ndeshje të përcjellë nga numër i konsiderueshëm i shikuesve, ndërsa kryetrajnerët e skuadrave që do të ballafaqohen sot, Bekim Bakaj në njërën anë dhe Ismail Berisha në anën tjetër, presin rezultat pozitiv nga ky ballafaqim.