13 marsi është Dita Botërore e Veshkave, një mundësi e mirë për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të hershëm të sëmundjeve të veshkave, si dhe për të ofruar kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme për ata që vuajnë nga këto sëmundje.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, sëmundjet dhe problemet e veshkave trajtohen në repartin e Urologjisë, ndërsa shërbimet e hemodializës ofrohen në repartin e Hemodializës.
Reparti i Urologjisë disponon 18 shtretër, ku punojnë 6 mjekë specialistë urologë, nën udhëheqjen e Dr. Agim Hazrollit, si dhe 7 infermierë, të cilët udhëhiqen nga kryeinfermierja Drita Shpejti.
Gjatë muajit janar 2025, në repartin e Urologjisë janë hospitalizuar 65 pacientë dhe janë kryer 57 operacione, ndërsa në muajin shkurt 2025, janë hospitalizuar gjithashtu 65 pacientë dhe janë realizuar 42 operacione.
Gjatë vitit 2024, në repartin e Urologjisë janë hospitalizuar 698 pacientë, me gjithsej 2853 ditë shërimi. Janë kryer gjithsej 539 operacione dhe 6106 vizita specialistike.
Në kuadër të repartit të Urologjisë funksionon edhe ambulanca specialistike dhe kabineti endoskopik, ku ofrohen shërbime të ndryshme, përfshirë: vizita specialistike urologjike, konsultime specialistike, ekografi urologjike, cistoskopi, kateterizime, tualet dhe fashim i varrëve, hospitalizim, ekzaminime klinike, radiologjike dhe laboratorike – biokimike, si dhe vizita këshilluese. Po ashtu, kryhen operacione të ndryshme, si:Neoplazma malinje e fshikëzës urinare, Venat varikoze të pjesëve të tjera, Varikset skrotale, Hernia inguinale, Uropatia obstruktive dhe e refluksit, Guret në veshkë dhe ureter, Gurët në traktin e poshtëm urinar, Striktura uretrale, Çrregullime të tjera të ureters, Hiperplazia e prostates, Hidrocela dhe spermatocela, Torzioni i testisit, Kriptorhizmi (testisët e palëshuara), Hipospadia, Keqformime të tjera kongjenitale të organeve gjenitale mashkullore etj.
Puna në repartin e Urologjisë zhvillohet 24 orë në ditë, gjatë gjithë javës. Pas orarit të rregullt të punës, gjatë fundjavave dhe festave, kujdestaron një mjek urolog, i cili është i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme për pacientët që kanë nevojë për trajtim urgjent, duke mundësuar ofrimin e kujdesit të nevojshëm në çdo moment të ditës ose natës.
Veshkat janë organe shumë të rëndësishme për shëndetin e njeriut, pasi ato janë përgjegjëse për pastrimin e trupit nga substancat e panevojshme dhe toksinat, ndihmojnë në ruajtjen e balancës së ujit dhe elektroliteve, si dhe mbajnë nën kontroll tensionin e gjakut, ndërsa Dita Botërore e Veshkave është një mundësi e mirë për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të hershëm të sëmundjeve të veshkave, si dhe për të ofruar kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme për ata që vuajnë nga këto sëmundje.