Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka organizuar sot takim pune me Drejtorinë Rajonale të Policisë për rajonin e Prizrenit, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së efikasitetit në veprimet e përbashkëta ndërinstitucionale. Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, kolonel Basri Shabani, eprorë të lartë të Drejtorisë Rajonale të Policisë, komandantët e stacioneve policore në Prizren, Suharekë, Dragash dhe Mamushë, shefat e hetimeve, udhëheqësit e njësive të specializuara, si dhe prokurorë nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Në fillim të takimit, Kryeprokurori Kryeziu e uroi kolonel Basri Shabanin për marrjen e detyrës së Drejtorit të Policisë Rajonale në Prizren, duke i dëshiruar suksese dhe punë të mbarë në ushtrimin e kësaj detyre, me besimin se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve do të vazhdojë dhe do të avancohet edhe më tej.
Në fokus të takimit ishte shqyrtimi i praktikave të përditshme të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet prokurorëve dhe hetuesve policorë, me theks të veçantë në identifikimin e çështjeve që paraqiten gjatë komunikimit dhe zhvillimit të veprimeve hetimore, si dhe në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për tejkalimin e tyre.
Gjatë diskutimeve, Kryeprokurori Kryeziu theksoi rëndësinë e komunikimit të hapur, profesional dhe të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve, duke vlerësuar se bashkëpunimi efektiv dhe koordinimi në kohë janë parakushte të rëndësishme për zhvillimin e hetimeve cilësore dhe trajtimin efikas të rasteve penale.
Ai, gjithashtu, përmendi sfidat me të cilat ballafaqohet Prokuroria e Prizrenit në baza ditore gjatë trajtimit të veprave të ndryshme penale, duke adresuar çështje që kërkojnë përmirësim në veprimet hetimore të Policisë, por pa lënë anash as adresimin e vërejtjeve dhe kritikave eventuale ndaj punës së vetë Prokurorisë.
Nga ana e tij, Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, kolonel Basri Shabani, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me Prokurorinë Themelore në Prizren, duke shprehur gatishmërinë për të adresuar çështjet e ngritura dhe për të ndërmarrë veprime në funksion të avancimit të mëtejmë të koordinimit në të gjitha nivelet.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan për ndërmarrjen e hapave konkretë në drejtim të përmirësimit të praktikave të komunikimit, harmonizimit të veprimeve gjatë procedurave hetimore dhe evitimit të pengesave eventuale në bashkëpunimin ndërinstitucional. Njëkohësisht, u dakorduan që takimet e tilla të përbashkëta të mbahen në baza tremujore, me qëllim të shqyrtimit të vazhdueshëm të çështjeve që ndërlidhen me bashkëpunimin e përditshëm dhe adresimit me kohë të sfidave eventuale.
Takimi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, duke riafirmuar përkushtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë Rajonale në Prizren për bashkëpunim të vazhdueshëm, në funksion të rritjes së efikasitetit të hetimeve, zbatimit të ligjit dhe forcimit të sundimit të ligjit.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.