Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut ka miratuar një rezolutë që njeh 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Rezoluta me numër 0186-2026, e miratuar më 19 nëntor, përcakton që kjo datë të njihet çdo vit në metropolin amerikan, në nderim të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, transmeton Albinfo.
Nisma është propozuar nga këshilltarja Amanda C. Farías dhe ka marrë mbështetjen e këshilltarëve të tjerë, përfshirë Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano.
Përmes kësaj rezolute vlerësohet trashëgimia historike e shqiptarëve dhe kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Nju-Jorkut.
Sipas të dhënave të përfshira në dokument, në 5 njësitë administrative të qytetit jetojnë mbi 100 mijë banorë me prejardhje shqiptare, me përqendrim të veçantë në Bronx dhe Staten Island.
Rezoluta rikujton gjithashtu marrëdhëniet historike shqiptaro-amerikane dhe mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë dhe shtetësinë e Shqipërisë.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përshëndetur këtë vendim, duke vlerësuar kontributin e shqiptarëve në Nju-Jork dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Për breza të tërë, familjet shqiptare në Nju-Jork e kanë festuar këtë ditë në shtëpitë e tyre, në lagjet e tyre dhe me fëmijët e tyre. Ua kanë mësuar shqipen fëmijëve, ua kanë treguar historinë e flamurit dhe e kanë mbajtur të gjallë lidhjen me vendlindjen. Sot, dita që këto familje e kanë ruajtur brez pas brezi merr njohjen e qytetit që e bënë shtëpi”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka shprehur mirënjohje ndaj komunitetit shqiptar për punën dhe përkushtimin ndër vite.
“Nga Prishtina, e përshëndes këtë vendim dhe u shpreh mirënjohjen time shqiptarëve të Nju-Jorkut. Me punën dhe përkushtimin tuaj, keni fituar respektin e qytetit dhe i keni dhënë brezit të ri një arsye më shumë për t’u krenuar me rrënjët e veta”, ka theksuar Rama.
Njohja e përvitshme e 28 Nëntorit përbën një vlerësim institucional të historisë dhe kontributit të shqiptarëve në Nju-Jork, por nuk nënkupton shpalljen e kësaj date si ditë pushimi zyrtar në qytet.