LAJME

Kos: Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave, përfiton 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes

Kos: Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave, përfiton 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Nëntor 2026, 11:10

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

Kos ka deklaruar se deri më tani rezultatet e vendeve janë të ndryshme, duke veçuar tri shtete që sipas saj kanë shënuar përparim të mirë në zbatimin e reformave.

Ajo solli si shembull Malin e Zi, i cili ka përmbushur 94% të reformave dhe pritet të përfitojë 81 milionë euro në raundin e dytë të pagesave. 

Sa i përket Shqipërisë, komisionerja bëri të ditur se vendi ka zbatuar 80% të reformave dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro në këstin e katërt të pagesave.

Ndërsa Maqedonia e Veriut ka përmbushur 56% të reformave dhe pritet të marrë 79 milionë euro.

 “Të gjithë së bashku do të hyjmë në vitin e fundit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Deri më tani, rezultatet tuaja janë të ndryshme. Tre shtete kanë bërë përparim të mirë në reforma, ndërsa tre shtete të tjera … Për shembull, Mali i Zi ka arritur në zbatimin e 94% të reformave, që do të thotë se do të marrë 81 milionë euro në raundin e dytë të pagesave. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt, ndërsa Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do të marrë 79 milionë euro”, ka theksuar Kos.

Ajo ka thënë se ky Plan i Rritjes kishte synim rezultatet dhe rritjen.

“Kur të arriheshin këto rezultate, vendet do të merrnin përfitimet përkatëse. Kjo do të thotë se Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin 15% më shumë, ndërsa Maqedonia e Veriut 10% më shumë”, tha Kos ndër të tjera. A2CNN.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika