Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Vendeve të Kujtesës apo Ditën Botërore të Trashëgimisë Kulturore, me datë 19 prill, 2022, duke filluar nga ora 17:00, forumZFD programi në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit hap foto-ekspozitën dhe organizon debatin të titulluar ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’, në Hamamin ‘Gazi Mehmet Pasha’, Prizren, me fotografi të Korab Krasniqi. Fotografitë janë pjesë e foto-monografisë ‘Trashëgimia e Kujtesës në Kosovë: Konteksti i përgjithshëm’ që është botuar në bashkëpunim ndërmjet forumZFD programi në Kosovë dhhe Integra, e që shpërfaqë një peizazh të gjerë e të përgjithshëm në kulturës materiale të mbamendjes në Kosovë.
Ekspozita shqyrton njëzet e shtatë vende të kujtesës, nga to; dy tyrbe/teqe, dy xhami, dy kisha/manastire ortodokse dhe dy kisha katolike, dy sahat-kulla, tre monumente socialiste, dy komplekse memorialë, dy hapësira të kujtesës për vitet 1990 (rezistencën paqësore dhe sistemin paralel të shtetit), dy vende të kujtesës që materializojnë narrativin për Betejën e Kosovës, dy muze (iniciativa private dhe publike), dy monumente nga lufta e fundit, dy shtëpi personalitetesh historike, një hapësirë arkeologjike dhe një memorial-përfaqësim dedikuar kontributit të grave në historinë e fundit të Kosovës.
Ekspozita do të përcillet me debatin ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’ që sjell së bashku të ftuar përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Prizren, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore i Qendrës Historike, Prizren, Shoqëria Civile, etj. ku qendër diskutimi do të jenë politikat dhe praktikat e kujtesës në Kosovë, trashëgimia kulturore – çfarë është dhe si lexohet, sfidat në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe vizioni afat mesëm dhe afatgjatë për trashëgiminë kulturore në Kosovë.