Deklaratë nga Timo Soini, Kryetar i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Ministër i Punëve të Jashtme të Finlandës
“Në Evropë sot, trajtimi i romëve dhe udhëtarëve mbetet një çështje madhore e të drejtave të njeriut. Përkundër përpjekjeve të rëndësishme nga shumë qeveri në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, komunitetet rome vazhdojnë të përballen me diskriminim, varfëri dhe përjashtim social. Qasja në të drejtat themelore të tilla si shëndetësia, strehimi, arsimi ose punësimi ende nuk janë të garantuara. Kjo kërkon ndryshim.
Dita Ndërkombëtare e Romëve është një mundësi për të kujtuar detyrimet tona në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për të riafirmuar angazhimin tonë për të promovuar barazinë dhe mosdiskriminimin për të gjitha komunitetet rome në Evropë. Megjithatë, do të theksoja cenueshmërinë e veçantë të grave dhe vajzave rome dhe udhëtare, të cilët janë ndër grupet më të pafavorizuara në Evropë sot.
Të gjitha gratë dhe vajzat, duke përfshirë edhe ato në komunitetet rome, duhet të kenë të drejtën të jetojnë lirshëm jetën e tyre dhe të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhjet e tyre pa presione të panevojshme nga komuniteti, familja apo shteti i tyre. Është një çështje e garantimit të të drejtave themelore të njeriut.
Për këtë qëllim, ne duhet të rrisim vetëdijen për pengesat serioze me të cilat ballafaqohen gratë rome dhe udhëtare në qasjen në drejtësi dhe të drejta. Ne duhet të ndërmarrim veprime për të fuqizuar gratë rome dhe udhëtare përmes trajtimit të çështjeve të tilla si dhuna në familje, martesat e hershme ose të detyruara dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Në këtë kontekst, presidenca finlandeze pati kënaqësinë që së fundi të organizonte Konferencën e 7-të Ndërkombëtare të Grave Rome (25-27 mars 2019), e cila hulumtoi këto çështje dhe përfundimet e së cilës do të japin udhëzime për punën e ardhshme të Këshillit të Evropës në këtë fushë.”