Futbolli kosovar nuk e ka gjetur qetësinë e rehatinë as në vitin 2024.
Skandalet e ndryshme shkaktuan “tërmet” dhe hallakamat i përfshinë Federatën e Futbollit dhe Kombëtaren e Kosovës.
Problemi me Edon Zhegrovën e përshkoi një pjesë të mirë që vitit që po e lëmë pas, shkruan “Gazeta Express”.
Pas shpërthimit të yllit kosovar në vitin 2023 ndaj drejtuesve të Federatës dhe kundër menaxhmentit të Kombëtares, konflikti mes palëve u rikthye edhe në muajin shtator të vitit 2024.
Në fakt, në shtatorin e vitit 2023, ylli i Lillet kishte thënë se duhen bërë disa ndryshime të brendshme, me ç’rast kishte nisur konflikti i hapur mes palëve.
“Messi i Kosovës” kishte shpërthyer edhe në nëntor 2023 me një deklaratë, përmes së cilës tha se ka qenë pengesë e disa personave në Kombëtare bazuar në thashetheme kundër tij.
E në shtator të këtij viti, u rikthye çështja Zhegrova.
Ylli kosovar u përjashtua nga Kombëtarja së bashku me Arijanet Muriçin dhe Florent Muslijën.
Kjo për arsye se, sipas FFK-së, ata kishin dalë nga grumbullimi në mbrëmje pa marrë leje.
Fillimisht, Zhegrova e Muriç e mohuan një gjë të tillë, por më pas kërkuan falje dhe u rikthyen në Kombëtare.
Sikur të mos mjaftonin këto probleme, pasi ato s’kishin të sosur.
Atmosfera në kampin dardan ka qenë e tensionuar gjatë krejt edicionit në Ligën e Kombeve.
Në muajin tetor, pas ndeshjes me Kosovës dhe Qipros ndodhi një tjetër incident.
Protagonistë të tij ishin kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani dhe kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha.
U tha se ylli i Napolit nuk pranoi të shkonte për t’u përshëndetur me Dardanët, pasi këta të fundit e kishin fyer ekipin pas humbjes në shtëpi nga Rumania në shtator.
E kjo e ka mllefosur kryetifozin kosovar, i cili deshi t’i qëronte hesapet me kapitenin, por që fatmirësisht u ndal nga lojtarët dhe zyrtarët tjerë në fushë.
E zënkat thuhet se kanë vazhduar edhe në dhomat e zhveshjes, ndërsa në fund Berisha kërkoi falje për incidentin përmes një postimi në rrjetet sociale.
Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte një tjetër problem skandaloz, i cili na bëri gaz në botë.
Ministria e Sportit i kishte investuar 1,3 milion euro për renovimin e fushës, respektivisht ndërrimin e barit, duke e vendosur atë hibrid.
Por, ekipet mysafire që erdhën në Prishtinë u ankuan shumë dhe dhanë kritika të ashpra për gjendjen e fushës.
Sipas tyre, kjo fushë s’i plotësonte aspak kriteret pasi ishte me gropa, me gurë e me zall.
Më pas, stadiumit “Fadil Vokrri” iu vendos dryni për një muaj derisa të rritej bari.
Kombëtarja u vu në pozitë të sikletshme edhe në ndeshjen e fundit me Rumaninë në Ligën e Kombeve.
Lojtarët e morën vendimin për t’u larguar nga fusha dhe për të mos u kthyer më në fund të ndeshjes me Rumaninë shkaku i fyerjeve raciste.
U tha se edhe në këtë rast s’kishte harmoni mendimesh pasi zyrtarët e FFK-së kërkuan nga ekipi që të kthehej në fushë, por që Rrahmani me shokë nuk e përfillën këtë kërkesë.
Kosova e humbi lojën në tavolinë dhe kështu përfundoi e dyta në tabelë, shkruan “Gazeta Express”.
Si rezultat, në muajin dhjetor FFK-ja u ankua ankua në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv – CAS ndaj këtij vendimi të UEFA-s.
Gjithashtu, mediat shkruan edhe për parregullsi, nepotizëm dhe keqpërdorime të mjeteve në Federatën e Futbollit të Kosovës. /Gazeta Express