Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shprehur edhe një herë shqetësimin për dislokimin e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë të premten vonë teksa kanë njoftuar për bisedën telefonike mes këshilltarit për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas komunikatës, Sullivan ka theksuar gatishmërinë e SHBA-së për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.
“Sullivan përcolli ngushëllimet për humbjen e policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme të ndodhura më 24 shtator. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, thuhet në njoftimin e Shtëpis së Bardhë.
Sullivan dhe Kurti, siç thuhet në komunikatë, diskutuan edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së ka thënë se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën.
Bisedën me Sullivanin e lajmëroi edhe kryeministri Kurti dje në Twitter. Kurti ka thënë se gjatë bisedës me Sullivanin ka kërkuar ndihmë më të madhe nga SHBA-ja kundër planeve ushtarake të Serbisë.
Më herët gjatë ditës së premte, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Serbia që t’i tërheqë trupat ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën dhe që sulmuesit në rastin e Banjskës të mbahen përgjegjës.
NATO-ja ka vendosur për shtim të trupave në Kosovë.
Më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.