Hekuran Mustafa nga Prizreni është shpallur “Vullnetari më i Guximshëm i Vitit 2026”, në kuadër të Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit, të organizuara nga organizata joqeveritare TOKA.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mustafa ka ndarë emocionet dhe rëndësinë që ka për të ky vlerësim, duke theksuar se çmimi përfaqëson një rrugëtim të gjatë me përkushtim, angazhim dhe kontribut në komunitet.
Ai ka bërë të ditur se është i pari nga Prizreni dhe njëkohësisht i pari nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që merr këtë çmim.
Në mesazhin e tij, Mustafa ka shprehur mirënjohje për organizatën CONCORDIA Kosovo, e cila e ka mbështetur gjatë këtij rrugëtimi, si dhe për Nuhi Morinën, i cili e propozoi për këtë çmim.
Falënderime të veçanta ka adresuar edhe për Krenar Mustafën, drejtoreshën e CONCORDIA-s, Mirela Lavric Solomon, psikologen Valbona Belallari dhe Shefket B. Bujari, për mbështetjen dhe motivimin e dhënë.
Po ashtu, ai ka falënderuar drejtoreshën e OJQ-së TOKA, Hatixhe Zeka, dhe gjithë ekipin e kësaj organizate për organizimin e ceremonisë dhe promovimin e vullnetarizmit tek të rinjtë.
Mustafa ka përcjellë edhe një mesazh motivues për të rinjtë, veçanërisht për ata nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, duke i inkurajuar të mos lejojnë që prejardhja, paragjykimet apo vështirësitë të përcaktojnë kufijtë e ëndrrave të tyre.
“Mos prisni që dikush të vijë dhe t’ju hapë rrugën. Bëhuni ju ata që hapin rrugë për të tjerët!”, është një nga mesazhet e tij.
Në fund, ai ka theksuar se ky çmim nuk përbën fundin e rrugëtimit të tij, por një motivim shtesë për të vazhduar kontributin për të rinjtë, komunitetin dhe shoqërinë.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.