Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, të enjten ka qëndruar në Prizren, ku në kuadër të takimeve me qytetarë nëpër komuna, ka zhvilluar takime me përfaqësues të bizneseve dhe qytetarë të këtij qyteti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjini ka bërë të ditur se gjatë javës në Prizren kanë qëndruar edhe anëtarë të strukturave të AAK-së, të cilët kanë zhvilluar takime me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve lokale.
Gjatë vizitës, Gjini ka takuar përfaqësuesit e kompanisë “Proton Cable”, ku ka zhvilluar bisedë me vëllezërit Dida, si dhe drejtuesit e kompanisë “Gerti Foods”.
Sipas tij, “Proton Cable” prodhon mbi 800 tonë kabllo në vit, ndërsa “Gerti Foods” është prodhuesi i vetëm në vend i tortillave dhe petëve të donerit, me produkte që eksportohen në tregjet e Gjermanisë, Francës dhe Hungarisë.
Gjini ka thënë se gjatë këtyre takimeve janë diskutuar sfidat me të cilat përballen prodhuesit vendorë, duke veçuar krizën e energjisë elektrike, infrastrukturën dhe barrën fiskale.
Në këtë kontekst, ai ka ritheksuar qëndrimin e AAK-së për ngritjen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 30 mijë në 100 mijë euro, me qëllim të krijimit të kushteve më të favorshme për zhvillimin e bizneseve.
Vizitën në Prizren, kryetari i AAK-së e ka përmbyllur me një takim me qytetarë, ku ka prezantuar mesazhin e partisë për nevojën e ndryshimeve në qeverisje.
Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qasje të re, me qytetarin në qendër, duke përmendur zhvillimin ekonomik, arsimin dhe shëndetësinë si fusha ku, sipas tij, duhet të ketë më shumë angazhim institucional.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.