Faqja zyrtare e Universitetit të Prizrenit “ Ukshin Hoti”, njofton se rektori i këtij institucioni, Mentor Alishani, të martën ka pritur në vizitë, Fabrice Henard dhe Ludmila Henry dhe partneri i tyre lokal, të angazhuar nga Banka Evropiane për Investime, për vlerësimin e nevojave/fizibilitetin për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
“ Ekspertët përpos takimit me menaxhmentin kanë vizituar edhe kampusin dhe objektet brenda kampusit të Universitetit. Kjo vizitë është realizuar në kuadër të marrëveshjes që kanë lidhur MASHTI dhe Ministria e Financave me Bankën Evropiane për Investime për këtë çështje. Rektori Alishani në takim ishte i shoqëruar me bashkëpunëtorët nga menaxhmenti, Armend Podvorica, Prorektor për mësimdhënie, çështje të studentëve dhe kërkime shkencore, Serden Kervan, Prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë, Adelina Rakaj, prorektore për buxhet, financa dhe infrastrukturë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit, Nexhmedin Krasniqi.
Rektori Alishani i njoftoi ata me të arriturat dhe me sfidat që përballët në çdo aspekt institucioni dhe njëkohësisht i shoqëroi ata në vizitën në kampus duke ju shpjeguar gjendjen infrastrukturore dhe hapësirat ku ka nevojë për investime kampusi i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren.”, thuhet në fund të këtij njoftimi.