EC Ma Ndryshe me pjesëmarrjen aktive dhe ndërvepruese të të rinjve ka realizuar “Shkollën e Aktivizmit për Trashëgimi Kulturore”. Ky aktivitet tri ditor ka për qëllim fuqizimin e të rinjve me njohuri, aftësi dhe vetëbesim për të promovuar dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Kjo shkollë synon të krijojë një brez të ri aktivistësh që do të jenë më të informuar mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore, dhe gradualisht do të angazhohen për rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet për promovimin dhe ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Shkolla ka përfshirë sesione informuese rreth aktivizmit kulturor, sikurse edhe diskutime e ushtrime praktike rreth mundësive dhe sfidave në trashëgiminë kulturore të Kosovës; rëndësinë e ruajtjes si dhe prezantimit e interpretimit të trashëgimisë kulturore, dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit.
Për këto aspekte janë angazhuar ekspertë të ndryshëm të trashëgimisë kulturore, që kanë siguruar një bazë të fortë teorike, derisa me ushtrimet praktike pjesëmarrësit janë njohur me teknika dhe strategji për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë.
Në fund të kësaj shkolle të gjithë pjesëmarrësit janë pajisur me certifikata përkatëse.
