LAJME

Reagon ish-presidentja Osmani: Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin

Reagon ish-presidentja Osmani: Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Gusht 2026, 12:20

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas dakordimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Osmani, përmes një reagimi, e ka vlerësuar pozitivisht kandidaturën e Sejdiut, duke e cilësuar atë si një profesionist të dëshmuar dhe person me integritet.

“Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë. Prof. Dr. Bekim Sejdiu”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se me Sejdiun ka bashkëpunuar për 25 vjet, përfshirë edhe gjatë kohës sa ishte presidente e Kosovës, kur ai kishte shërbyer në kabinetin e saj.

“Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij”, ka deklaruar Osmani.

Ish-presidentja ka theksuar se vendimi për zgjedhjen e Presidentit u takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi historike.

Osmani ka bërë thirrje që vendimi të merret duke pasur parasysh interesin shtetëror, stabilitetin institucional, fuqizimin e aleancës euroatlantike dhe demokracinë.

“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë”, ka shkruar ajo.

Reagimin e saj Osmani e ka përmbyllur me mesazhin: “Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha!”

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika