Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 11.07.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 11.08.2021, ndaj të pandehurit L.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vjedhje nga neni 313 par. 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit L.D., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Se me datë 11 korrik, në orët e mbrëmjes, në Prizren, i pandehuri me dashje personit tjetër ia merr pasurinë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, në atë mënyrë derisa e dëmtuara ka qenë duke ecur në këmbë ka vërejtur se një person i veshur me rroba të zeza, e futë dorën në çantën e krahut dhe merre portofolin me të holla, një telefon, dhe i pandehuri L.D., ik me shpejtësi nga vendi i ngjarjes ndërsa kalimtarët e rastit arrijnë që ta ndalin të pandehurin dhe ta raportojnë rastin në polici.





